Gjendet në jug të Shqipërisë, në gjirin e detit Jon, i cili përmban një sërë plazhesh: ai pranë shëtitores, plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir.
Udhëtimi ynë i kësaj radhe ndalet në një nga vendet më të populluara të rivierës shqiptare: Sarandë. Qyteti ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht Agioi Saranta, 40 shenjtorët.
Gjendet në jug të Shqipërisë, në gjirin e detit Jon, i cili përmban një sërë plazhesh: ai pranë shëtitores, plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir.
Një tjetër është ai i pasqyrave, sipas vendasve ky emër i është dhënë nga peshkatarët e zonës. Këtu, ngjyra e kaltër pranë bregut, pasohet menjëherë me blunë e thellë.
Paraditeve plazhet janë të mbushura nga pushuesit, që përveç banjove të diellit, apo shëtitjeve më barkë, zgjedhin të freskohen, apo drekojnë në baret dhe restorantet e shumta që gjenden aty pranë. Ndërtime, që në jo pak raste ja kanë prishur bukurinë kësaj perle të jugut. Qëndrimi për natë në Sarandë, në vartësi të kushteve që kërkohen, kushton nga 25-140 euro për nate.
Në pasdite popullohet shëtitorja.
Pushuesit shëtisin, herë duke u ndalur më të vegjlit pranë këndeve të lodrave, herë për të shijuar produktet e shitësve ambulantë. Por edhe për të blerë souvenir, në kujtim të pushimeve në Sarandë.
Për ata që dëshirojnë të zbaviten gjatë natës, në Sarandë ka disa alternativa: pub-e me koncerte live dhe diskoteka. Cocktail pijesh, por edhe gjinish muzikore dhe spektaklesh.
Nëse dëshira për të ndryshuar në Sarandë bëhet e gjallë, atëherë mundësia është spostimi drejt plazheve të Ksamilit, rreth 20 kilometra larg. Rruga është duke u rregulluar, arsye për të cilën duhet marrë parasysh mungesa e komoditetit gjatë udhëtimit. Edhe këtu plazhet janë të shumta, ashtu sikurse edhe ishujt. Për të shkuar atje, vendasit kanë vënë në dispozicion barka. Në Ksamil ka edhe hotele apo shtëpi për pushues.
Përpos plazheve të Sarandës dhe Ksamilit, ka edhe pika të tjera turistike për të vizituar. Njëra prej tyre: Kalaja e Lekursit.
Kalaja gjendet në majën e një kodre të lartë në Sarandë, nga ku mund të shihet qyteti, Ksamili dhe një pjesë e ishujve të tij. Sipas historianëve, i përket shekullit të XVI dhe maja e kodrës ku u ndërtua, u zgjodh enkas për të kontrolluar për sulme të mundshme.
Për t’u njohur nga afër me pjesë të historisë së lashtë vendase dhe monumenteve arkeologjike, një vizitë në Butrint. Nga Saranda nisen çdo një orë autobusë që të cojnë në këtë park. Bileta e transportit kushton 500 lekë, ndërsa ajo e hyrjes varion nga numri i vizitorëve.
Sipas arkeologëve, monumentet këtu përfaqësojnë rreth 2000 vjet histori, nga tempujt helenë të shekullit të IV para Krishtit, deri ne fortifikime mbrojtese otomane të fillimit të shekullit të XIX.
Për shëtitje në natyrë, në mes të gjelbërimit gjendet “Syri i kaltër”. Uji del nga thellësitë e nëntokës, duke i dhënë burimit ngjyrën e kaltër, në formën e një syri, prej të cilit merr edhe emrin. Temperatura e ujit është shumë e ulët, por kjo nuk pengon ndonjë turist të zhytet në ujë për pak sekonda.
Turistët janë të shumtë këtu, shqiptarë e të huaj. Ata lëvizin në pika vështrimi të ndryshme për të shijuar e fotografuar këtë monument natyror.