1. Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 Tetor 1981.
Ai është institucioni më i madh muzeor shqiptar. Në mjediset e muzeut ndodhen 4750 objekte muzeore. Spikat në këto mjedise Pavijoni i Lashtësisë, që nis me periudhën e paleolitit e deri në antikitetin e vonë, në shek. VI pas Krishtit, me afro 400 objekte, të gjitha të klasit të parë.
Në Pavijonin e Mesjetës, me afro 300 objekte, dokumentohet qartë shndërrimi i procesit historik të ilirëve të vjetër në arbrit e hershëm.
Ky pavijon pasqyron historinë shqiptare deri në shek. XVI.
Pavijone të tjerë janë ai i Rilindjes Kombëtare si edhe ai i Pavarësisë e i krijimit të Shtetit Shqiptar, deri në vitin 1924.
Në vitin 1996 është krijuar Pavijoni i Gjenocidit me 136 objekte.
Pavijoni i Ikonografisë, me 65 ikona të klasit të parë, u ngrit në vitin 1999.
Në këtë pavijon zënë vend veprat më të mira të piktorëve të shek. XIII dhe XIX, si Onufër Qiprioti, Joan Çetiri, Kostandin Jermonaku, Joan Athanasi, Kostandin Shpataraku, Mihal Anagnosti dhe disa autorë anonimë.
Në vitin 2004, u ri ngrit Pavijoni i Antifashizmit me 220 objekte.
Në vitin 2005, në një nga sallat e muzeut, u shtua edhe Pavijoni i Etnokulturës shqiptare, me rreth 250 objekte.
2 . Muzeu Kombëtar i Arsimit Korçë.
Në ndërtesën ku ndodhet sot Muzeu Kombëtar i Arsimit shqiptar, ndërtesë Monument Kulture 150 -vjeçare, është hapur Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëherë, "Mësonjëtorja e Parë Shqipe".
Kjo shkollë u hap më 7 Mars 1887, me leje nga Perandoria Osmane.
Ndërtesa ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.
Në këtë Muze pasqyrohet historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi).
Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi.
3. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë.Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980.
Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.
Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre.
Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj.
4. Muzeu Kombëtar Etnografik, Berat Muzeu i Beratit u përurua në vitin 1979.
Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut.
Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe treshekullore, tipike e trevës beratase.
Në katin e parë është ngritur një sallë, në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dy anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes se fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes se qytetit.
Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore.
5. Muzeu Etnografik, Krujë.
Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Ai është i ndërtuar në një banesë karakteristike qytetare të vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së parë. Në 15 - 16 mjediset e saj, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.
90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë.
Mosha e këtyre objekteve varion nga 60 - 70 deri në 500 -vjeçare.
6. Muzeu Gj. K. Skënderbeu Krujë.Muzeu Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" është përuruar më 1 Nëntor 1982.
Ky muze është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të arbrit dhe personifikim i disfatës së ushtrive turke, për tri herë rresht, në shek. XIV - XV.
Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.
Në këtë muze numërohen pavijone të tilla si: Pavijoni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.
7. Muzeu Kombëtar Onufri, Berat.Muzeu Kombëtar "Onufri", gjendet në qendër të lagjes së banuar në kalanë mesjetare të qytetit të Beratit.
Në të janë përfshirë një fond i pasur ikonografik dhe disa objekte të shërbesës.
Muzeu është organizuar në mjediset e kishës së katedrales së Shën Mërisë, që është ndërtuar në vitin 1797, mbi themelet e një kishe më të vjetër me të njëjtin emër.
Ky muze mban emrin e piktorit më të shquar shqiptarë të shek. të XVI, Onufrit, i cili ka lënë një fond mjaft të pasur në krijimtarinë ikonografike.
Kompleksi muzeal përbëhet nga salla qendrore e kishës, mjedisi i altarit, si edhe nga një sërë mjedisesh ndihmëse njëkatëshe, në anën veriore, dhe dykatëshe, në anën perëndimore.
Ndërtimi shquhet për ngritje në lartësi, duke përbërë një variant të rëndësishëm të arkitekturës së kultit në kalimin nga shek. i XVIII -të në shek. XIX -të.
Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve që përmendëm më lart si edhe të autorëve të tjerë.
Veç ikonave të ekspozuara në mjediset e muzeut, një seri të veçantë përfaqësojnë edhe ikonat e vendosura në ikonostasin e praruar të kishës të cilat janë vepra të piktorit Joan Çetri.
Në vitrina janë të ekspozuara edhe disa tekstile dhe objekte metalike, të cilat dëshmojnë për një traditë artizanale të një niveli të lartë të Trevës së Beratit.
8. Vendvarrimi i Skënderbeut.
Memoriali u përurua më 23 Nëntor 1981.
Objekti themelor më i rëndësishëm këtu është vetë ndërtesa e Kishës Katedrale të Shën Kollit, e cila është selia e Kuvendit të Lezhës, të 2 Marsit 1444, dhe vendi i varrimit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 17 Janar 1468.
Elemente të rëndësishme që ruhen sot në këtë kishë janë: Afresku origjinal i Shën Kollit, absida (harku i altarit) e kishës, tri dritaret dhe dera origjinale e kishës, si edhe harku mbi derë, një element dekoracioni origjinal i kishës.
Muzeu ka edhe sektorin e jashtëm, mjedisin arkeologjik me objekte nga periudha antike dhe mesjetare e Lezhës, që ndodhen rrotull objektit.